Filed under:
|

Një vit pas premierës belge, “Dosja K” (“Dossier K”) pati premierën shqiptare të dielën në kinema “Imperial”. Regjisori i njohur flaman, Jan Verheyen e ktheu në film historinë e vërtetë të një familjeje shqiptare në fillim të viteve ’90 në Belgjikë, e manipuluar dhe e prekur në nder nga njerëz të pushtetit për të fshehur aferat e tyre. Rreth 12-13 vjet më parë, këtë histori e hodhi në roman autori Jef Geeraerts. “Dosja K”, një thriller policor, në të cilin përveç historisë, gjenden edhe aktorë shqiptarë. Blerim Destani ka rolin kryesor, atë të Nazim Tahirit, djalë i një familjeje që jeton në bjeshkët shqiptare, por që i futet rrugës së krimit për të marrë hakun e të atit, vrarë nga klani shqiptar i ‘Gabave’. Për të ngjashmit, i ati i tij (Çun Lajçi) ishte tradhtar, sepse kishte bashkëpunuar me policinë, nga ana tjetër kishte ndjekur instinktin e atësisë duke e pranuar këtë ofertë në këmbim të lirisë së Nazimit, i kapur nga policia me tre kilogramë drogë. Në lojë hyn komisari Vincke (aktori Koen De Bouw), i vënë fillimisht në ndjekje të Gabave, ndërsa më pas edhe të Nazimit, duke kujtuar se ai është vrasësi i oficeres që donte. Vetëm në fund kuptohet se gjithçka është manipulim i prokurorit të përgjithshëm dhe mikut të të atit, Shehut. “Dosja K”, një thriller policor i realizuar teknikisht, është një prej filmave të shumtë, produksione të huaja që i kanë mëshuar temës së gjakmarrjes shqiptare. I pranishëm në premierë, aktori Blerim Destani, më parë i njohur për interpretimin në “Koha e kometës” i Fatmir Koçit, tregon për këtë eksperiencë të tij. Destani u vlerësua si aktori më i mirë për këtë rol në edicionin e tretë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës, ndërsa filmi mori çmimin special të jurisë. Ndërkohë, filmi do të vazhdojë të shfaqet në kinema “Imperial”.
Si lindi bashkëpunimi me regjisorin Jan Verheyen?
Bashkëpunimi ka qenë i rastësishëm. Pasi kishte vendosur të realizonte një film për këtë temë shqiptare, regjisori Jan Verheyen udhëtoi në Kosovë dhe Shqipëri për të bërë audicione në kërkim të karaktereve të filmit. Në kthim për në Belgjikë, kurioz për të parë një film shqiptar, kishte blerë DVD-në e filmit “Koha e kometës” të regjisorit Fatmir Koçi, ku unë kam rolin kryesor. Aty më kishte piketuar mua. Më lajmëruan që regjisori ishte i interesuar të më njihte dhe më dërguan skenarin. Ishte temë komerciale, m’u duk interesante, dhe kështu lindi bashkëpunimi.
Çfarë i referoheni kur e përcaktoni si temë komerciale?
Ka dy lloj filmash: ata që janë të destinuar për në festivale dhe filmat komercial, siç është “Dosja K”, i cili ka qenë shumë i shikuar. Një vit nga realizimi dhe premiera në Belgjikë, ky film ka thyer rekordet e Belgjikës. Në kohën që u shfaq i ka bërë konkurrencë “Avatarit” në këtë vend. Duhet të kuptojmë që është një produksion belg, dhe si i tillë është shpërndarë në shumë televizione si në Gjermani, Zvicër, Austri, ku flitet gjermanisht. Filmi ka arritur deri në 12-13 milionë shikues në një natë falë këtij distribucioni, e pamundur të arrihet përmes kinemasë. “Dosja K” është bërë format për kino-televizion-DVD dhe mendoj se ia ka arritur qëllimit.
Ndoshta për shkak të temës…?
Është një tregim interesant, edhe pse nuk është një ngjarje që e ka zbuluar skenaristi. Është një histori reale e ndodhur në Belgjikë në fillim të viteve ’90, e treguar nga shkrimtari Jef Geeraerts përmes një libri që qarkullon prej 12-13 vjetësh në Belgjikë e që ka qenë bestseller. Filmi, ashtu sikurse dhe libri është një kritikë e fortë për Belgjikën, për manipulimin që ministria i bëri një familjeje shqiptare duke e prekur në nder, duke ditur se si do të silleshin në bazë të kodit të tyre dhe përmes kësaj shpresonin të fshihnin shumë veprime korruptive. Shqiptarët janë viktima në të gjithë këtë histori dhe Nazimi, personazhi im në film, detyrohet të përfshihet në botën e krimit për të marrë gjakun e të atit, por gjithçka është një kurth në të cilin mbetet edhe ai vet.
Çfarë ju ka dhënë juve si aktor ky bashkëpunim?
Ka qenë një eksperiencë përmes së cilës kam mësuar gjëra të reja. kam mësuar gjuhën flamane, madje kam lexuar Kanunin dhe kam parë shumë dokumentarë mbi gjakmarrjen, për të dalë te karakteri i Nazimit e për të kuptuar vendosmërinë e tij për t’i marrë gjakun të atit. Të punosh me regjisorë të huaj është gjithnjë kënaqësi, sepse secili prej tyre ka filozofinë e vet. Ne ishim një grup aktorësh shqiptarë që bashkëpunuam me ata belgë, dhe ishte një eksperiencë shumë e mirë.
Çfarë solli “Dosja K” për ju?
Pas këtij filmi kam bërë edhe shtatë të tjerë. Xhirimet e një filmi i kam mbaruar para tri ditësh, në të cilin luaj rolin e një meksikani. Është një film policesk, në të cilin m’u besua një rol falë interpretimit në “Dosja K”. Mendoj se bashkëpunime të tilla janë shumë të rëndësishme për ne aktorët e rinj. Për mua një film apo dy nuk janë të mjaftueshëm për ta quajtur veten aktor, duhet fituar eksperiencë e në një farë mënyre jeta jote të barazohet me aktrimin. Falë këtyre filmave kam pasur fatin të futem në kinematografinë botërore dhe dua të punoj që të jem prezent aty.
Do të thotë që do t’u kushtoni rëndësi ofertave që vijnë më së shumti nga regjisorë të huaj?
Unë jam i hapur për të bërë projekte interesante, projekte që më argëtojnë e më mësojnë diçka të re. Kam pasur edhe disa oferta shqiptare, por që për momentin nuk u kam kushtuar rëndësi, sepse kam parë më shumë potencial ndërkombëtar. Kam dashur ta shfrytëzoj këtë kohë duke punuar me regjisorë të huaj, por kjo nuk do të thotë që nuk do të bëj filma në Shqipëri.
About this blogger theme
Save the Queen blogspot template is the first template I have created. This is free, supported and ready for download. If you have any questions feel free to leave your comment on my weblog. Hope you like it. Enjoy!
Save the Queen blogspot template is the first template I have created. This is free, supported and ready for download. If you have any questions feel free to leave your comment on my weblog. Hope you like it. Enjoy!
No comment yet
Blerim Destani: Ia kam besuar veten regjisoreve te huaj
Blerim Destani: Ia kam besuar veten regjisoreve te huaj
Foto Humori

Bukuroshja e dites

Bukuroshi i dites

Add your comment below